| (Vetwm pwr median.Nuk wshtw dokument zyrtar) |
Hagë, 3 prill 2008.
|
Kjo Dhomë është mbledhur sot për shpalljen e vendimit të Gjykimit në çështjen Prokurori kundër Ramush Haradinajt, Idriz Balajt dhe Lahi Brahimajt.
Gjatë kësaj seance Dhoma do të jape një përmbledhje të shkurtër të përfundimeve të veta. Theksojmë se kjo është vetëm përmbledhje dhe se versioni autoritativ i përfundimeve të Dhomës është Aktgjykimi, që do të jetë në disponim në përfundim të kësaj seance.
Kjo çështje trajton krime që pretendohet se u kryen në periudhën 1 mars - 30 shtator 1998, në zonën e Dukagjinit në Kosovë. Kjo zonë ndodhet në Kosovën Perëndimore dhe përfshinte komunat e Pejës, Deçanit, Gjakovës dhe pjesë të komunave të Istogut dhe Klinës. Pretendohet se gjatë kësaj periudhe UÇK-ja gjithashtu e njohur si Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilës do t’i referohemi në anglisht si KLA përndoqi dhe vrau civilë serbë dhe romë kosovarë si edhe civilë shqiptarë kosovarë për të cilët mendohej se bashkëpunonin me forcat serbe, me qëllim konsolidimin e kontrollit të tërësishëm në zonën e Dukagjinit.
Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj u gjykuan si pjesëmarrës të pretenduar në një ndërmarrje të përbashkët kriminale që synonte konsolidimin e kontrollit të tërësishëm në zonën e Dukagjinit nga UÇK-ja nëpërmjet largimit të paligjshëm dhe keqtrajtimit të civilëve të lartpërmendur. Prokuroria pretendon se së paku nga 1 marsi deri në mes të qershorit 1998, Ramush Haradinaj ishte komandant de facto i UÇK-së në zonën e Dukagjinit dhe prej mesit të qershorit u bë komandant de jure.
Prokuroria deklaron se Idriz Balaj ishte komandant i njësisë së UÇK-së, e njohur si “Shqiponjat e Zeza”, e cila vepronte në mbarë zonën e Dukagjinit. Sipas Aktakuzës, si komandant i Shqiponjave të Zeza, Idriz Balaj ishte vartës i drejtpërdrejtë i Ramush Haradinajt.
Së fundi Prokuroria pretendon se Lahi Brahimaj ishte anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së me bazë në shtabin e Jabllanicës, në komunën e Gjakovës. Sipas Aktakuzës, ai ishte gjithashtu Zëvendëskomandant i zonës së Dukagjinit për një periudhë të shkurtër. Prokuroria pretendon se Lahi Brahimaj ishte vartës i Ramush Haradinajt dhe bashkëpunonte ngushtë me të.
Përndryshe secili prej tre të Akuzuarve u akuzua për kryerjen, planifikimin, nxitjen, urdhërimin ose ndihmë dhe inkurajim të disa prej krimeve të cilësuara në Aktakuzë.
Para se të japë përmbledhjen e përfundimeve të veta, Dhoma dëshiron të trajtojë disa pika në lidhje me procesin e kësaj çështjeje.
Gjatë procesit gjyqësor Dhoma mori dëshmitë e afërsisht 100 dëshmitarëve. Gjithsesi Dhoma hasi në vështirësi të konsiderueshme për marrjen e dëshmive nga një numër i madh i këtyre dëshmitarëve. Shumë individë përmendën frikën si arsye parësore për mosgatishmërinë e paraqitjes para Dhomës për dhënie të dëshmisë. Në lidhje me këtë, Dhoma fitoi përshtypjen e fortë se procesi gjyqësor po zhvillohej në një atmosferë që i bënte dëshmitarët të ndjeheshin të rrezikuar për shkak të një numri faktorësh të parashtruar në Aktgjykim. Për më tepër, palët pranuan se në Kosovë ekzistonte gjendja e paqëndrueshme e sigurisë e cila ishte veçanërisht negative për dëshmitarët. Si pasojë e vështirësive të ndeshura në marrjen e dëshmive, për 34 dëshmitarë u miratuan disa masa mbrojtëse.
Gjithashtu u lëshuan 18 urdhërparaqitje për dëshmitarët që vazhduan të refuzonin dhënien e dëshmisë me gjithë mundësinë për masa mbrojtëse. Për katër urdhërparaqitje të lëshuara nga Dhoma pati mosbindje. Në njërin prej këtyre rasteve, dëshmitari përkatës përfundimisht pranoi të dëshmonte nëpërmjet lidhjes me video. Në dy raste të tjerë, Dhoma konfirmoi Aktakuza për Shpërfillje ndaj Tribunalit kundër dëshmitarëve në fjalë. Këta dëshmitarë u arrestuan dhe u transferuan në Hagë. Të dy ata vendosën të dëshmonin para paraqitjes së parë në procesin për shpërfillje. Pas dhënies së dëshmisë prej tyre, aktakuzat u tërhoqën. Në lidhje me dëshmitarin e katërt, Naser Lika, i cili nuk iu bind urdhërparaqitjes, Dhoma ndërmori masa të ndryshme për të siguruar dhënien e dëshmisë prej tij, ndër të cilat edhe zgjatjen e afatit për procedimin e çështjes prej Prokurorisë. Dëshmitari nuk dëshmoi asnjëherë.
Dhoma refuzoi tri kërkesa të Prokurorisë për urdhërparaqitje. Në një rast, kërkesa e refuzuar kishte të bënte me një dëshmitar i cili përjetoi emocione të skajshme në lidhje me dhënien e dëshmisë në Tribunal. Seksioni për Viktimat dhe Dëshmitarët i Tribunalit e paralajmëroi Prokurorinë se përdorimi i këtij personi si dëshmitar përmbante rreziqe në rast se nuk kryhej një vlerësim për kërcënimin ose nuk bëheshin vlerësime të tjera. Prokuroria nuk ndërmori ndonjë vlerësim të tillë të mëvonshëm. Në këto rrethana, Dhoma e gjykoi të papërshtatshme të detyronte dëshmitarin për dhënien e dëshmisë.
Dy dëshmitarë erdhën në Tribunal pa marrë urdhërparaqitje dhe refuzuan të dëshmonin kur iu kërkua. Një prej këtyre dëshmitarëve, Shefqet Kabashi, konfirmoi disa të dhëna personale dhe më pas ai refuzoi t’i përgjigjej çfarëdo pyetjeje në lidhje me thelbin e çështjes. Si pasojë, Dhoma nxorri një Urdhëresë në Vend të Aktakuzës për Shpërfilljen e Tribunalit. Mirëpo pikërisht para fillimit të procesit gjyqësor kundër tij, Kabashi u largua prej Holandës dhe u kthye në vendbanimin e tij në Shtetet e Bashkuara. Dhoma mori në shqyrtim dhe ndërmori masa të ndryshme për marrjen e dëshmisë së tij. Çështja gjyqësore për shpërfillje kundër Shefqet Kabashit është ende e hapur në pritje të arrestimit dhe transferimit të tij në Hagë.
Një prej dëshmitarëve të urdhëruar për paraqitje, Dëshmitari 55, filloi me dhënien e dëshmisë, por deklaroi se ai ishte tejet i stresuar dhe kishte frikë për sigurinë e tij dhe për pasojë nuk ishte në gjendje të përfundonte dhënien e dëshmisë. Pas konsultimeve me Seksionin për Viktima dhe Dëshmitarë të Tribunalit dhe pas një ekzaminimi mjekësor, Dhoma konkludoi se nuk ishte në interes të drejtësisë të vazhdohej dëgjimi i dëshmisë së Dëshmitarit 55.
Disa herë gjatë përcaktimit të pranisë së një personi në një vend dhe kohë të caktuar, Dhomës iu desh të bazohej në dëshminë identifikuese të një dëshmitari okular të vetëm. Në shqyrtimin e një dëshmie të tillë, Dhoma mori parasysh disa faktorë, ndër të cilët identifikimi prej dëshmitarit i cili e kishte parë të akuzuarin vetëm shkarazi ose nuk kishte patur pamje të qartë të personit; shikim i kryer në terr; shikim gjatë një përjetimi tronditës të dëshmitarit; dhe mundësia e rikthimit të vonuar të kujtesës së dëshmitarit në prani të personit.
Tani Dhoma do të japë një përmbledhje të përfundimeve të veta duke filluar me elementët e përgjithshëm të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit.
Sa i përket elementëve të përgjithshëm të krimeve të luftës, Dhoma mori prova të shumta në lidhje me ekzistencën e një konflkti të armatosur në Kosovë midis UÇK-së dhe forcave serbe. Përleshjet në trojet e familjeve Ahmeti, Jashari dhe Haradinaj në periudhën fund i shkurtit - fund i marsit 1998 ishin ngjarje veçanërisht të dhunshme megjithëse të veçuara, të pasuara prej periudhave relativisht të qeta. Provat tregojnë se konflikti arriti nivelin e duhur të ashpërsimit më 22 prill 1998 kur në komunën e Deçanit pati granatime të dendura, civilët po iknin prej fshatrave, UÇK-ja u ndesh me forcat serbe dhe ushtria jugosllave po merrte pjesë në luftime dhe po dislokohej gjerësisht në terren. Rreth datës 22 prill 1998, UÇK-ja plotësonte kriterin si grup i organizuar i armatosur, i aftë të hynte në konflikt të armatosur me forcat serbe. UÇK-ja kishte rekrutuar shumë anëtarë ose vullnetarë, ishte stërvitur dhe kishte zhvilluar një strukturë fillestare ushtarake. UÇK-ja kishte në kontroll një masë të konsiderueshme të territorit, përdorte linja furnizimi për sigurimin e armëve dhe pajisjeve të tjera, përdorte taktika guerilase dhe lëshonte komunikata në emër të vet. Mbi bazën e provave në disponim, Dhoma përcaktoi se konflikti i armatosur në Kosovë ekzistonte që prej 22 prillit 1998 dhe më tej, që do të thotë para ndodhisë së fakteve materiale të pretenduara në çdo pikë të Aktakuzës, me përjashtim të Pikave 3 dhe 4.
Në lidhje me elementët e përgjithshëm të krimeve kundër njerëzimit, Prokuroria pretendon se UÇK-ja ndërmori një sulm të gjerë ose sistematik kundër pjesëve të popullatës civile në komunat e Deçanit, Pejës, Gjakovës, Istogut dhe Klinës në Kosovë. Këtu përfshiheshin civilët serbë të këtyre komunave si dhe civilë për të cilët mendohej se bashkëpunonin me serbët ose ndryshe nuk përkrahnin UÇK-në. Argumentet e Prokurorisë në lidhje me sulmin e pretenduar u bazuan kryesisht në prova prej pikave të veçanta. Këto prova jo gjithmonë i mundësuan Dhomës të konkludonte nëse ishte kryer krim ose nëse kishte marrë pjesë UÇK-ja siç pretendohet. Provat në disa prej pikave të tjera treguan së viktimat mund të ishin shënjestruar për arsye kryesisht individuale në lidhje me ta dhe jo si anëtarë të një popullate civile të sulmuar. Këto pika nuk u morën parasysh kur u përcaktua nëse kishte ndodhur sulm kundër popullatës civile.
Veç provave në lidhje me pika të veçanta të Aktakuzës, Dhoma dëgjoi dëshmi në lidhje me çështjen nëse kishte patur sulm kundër një popullate civile. Shumë prej këtyre provave kishte lidhje me serbë që u larguan prej shtëpive të tyre gjatë periudhës së Aktakuzës. Dhoma është e bindur se shumë serbë u larguan prej shtëpive të tyre prej frikës, prej shënjestrimit të qëllimshëm të tyre nga UÇK-ja, ose prej frikës së përgjithshme se do të gjendeshin në mes të konfliktit të armatosur që po zhvillohej, dhe jo sepse u shënjestruan drejtpërsëdrejti nga UÇK-ja. Në fakt edhe shqiptarët kosovarë ikën prej shtëpive të tyre gjatë periudhës së aktakuzës. Rrjedhimisht, Dhoma nuk mund të nxirrte përfundime të përgjithshme në lidhje me sulmin e pretenduar kundër një popullate civile thjesht prej faktit se gjatë kësaj periudhe shumë serbë ikën prej shtëpive të tyre. Sa për sulmet e tjera kundër joshqiptarëve gjatë periudhës së aktakuzës, shpesh provat nuk ishin të sakta në masë të mjaftueshme për të konkluduar kush ishte apo ishin përgjegjës për këto sulme dhe nëse ato ishin pjesë e një sulmi më të madh kundër një popullate civile.
Dhoma konkludoi se keqtrajtimi, transferimet e dhunshme dhe vrasja e civilëve serbë dhe romë si dhe civilëve shqiptarë kosovarë për të cilët mendohej se ishin bashkëpunëtorë ose nuk përkrahnin UÇK-në, nuk ishin aq të shpeshta sa të mundësojnë përfundimin se pati sulm kundër një popullate civile. Duke qenë se, si pasojë, nuk janë plotësuar elementët e përgjithshëm të krimeve kundër njerëzimit, Dhoma do t’i shfajësojë të tre të Akuzuarit prej të tëra akuzave për krime kundër njerëzimit.
Tani, Dhoma do të trajtojë akuzat për shkelje të ligjeve ose zakoneve të luftës. Dhoma dëgjoi dëshmi në lidhje me pretendimet për vrasje, tortura, përdhunim dhe trajtim mizor që përfshihen në 19 pika.
Pasi ka shqyrtuar provat e paraqitura në lidhje me pika të veçanta të Aktakuzës, Dhoma konkludoi se një numër i madh i krimeve të pretenduara u kryen prej ushtarëve të UÇK-së ose prej personave të lidhur me UÇK-në. Në këto krime në veçanti përfshihen keqtrajtimi i personave të mbajtur në shtabin e Jabllanicës. Dhoma konkludoi se ushtarët e UÇK-së në këtë vend ose persona të lidhur me UÇK-në, rrahën egërsisht Dëshmitarin 6, Nenad Remishtarin /Nenad Remištar/, Pal Krasniqin, Skënder Kuqin, Dëshmitarin 3, tre malazezë të paidentifikuar dhe një bosnjak të paidentifikuar. Keqtrajtimi i këtyre personave përbën trajtim mizor dhe në disa raste torturë. Gjithashtu Dhoma konkludoi se dy prej këtyre individëve, Skënder Kuqi dhe Pal Krasniqi, vdiqën si pasojë e keqtrajtimit.
Dhoma konkludoi se ushtarët e UÇK-së morën në pyetje dhe keqtrajtuan Novak Stijoviqin /Novak Stijović/ dhe Stanisha Radosheviqin /Staniša Radošević/ jashtë Gllogjanit në prill 1998, pasi të dy personat ishin ndaluar në një postbllok të UÇK-së. Dhoma gjithashtu konkludoi se një ushtar i UÇK-së përdhunoi Dëshmitaren 61 në shtabin e UÇK-së në Irzniq dikur në verë të vitit 1998. Keqtrajtimi i këtyre personave përbën trajtim mizor dhe torturë.
Prokuroria i akuzoi tre të Akuzuarit për 30 vrasje ku mbetjet e kufomave të viktimave u gjetën në rrethinën e kanalit të Radoniqit. Mirëpo Dhoma konkludoi se vetëm shtatë prej këtyre vrasjeve mund të vërtetoheshin jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm dhe u kryen prej ushtarëve të UÇK-së. Të vrarët ishin Zenun Gashi, Nurije Krasniqi, Istref Krasniqi, Sanije Balaj, dhe nëna e dy motrat e Dëshmitarëve 19 dhe 4.
Provat e paraqitura në lidhje me kryesit dhe rrethanat e vrasjeve të tjera të pretenduara ishin të mjegullta, të paqarta ose joekzistuese. Për shumë viktima, Dhoma mori prova vetëm në lidhje me kohën dhe vendin kur u panë të gjallë për herë të fundit dhe për gjetjen e tyre të vdekur në rrethinën e kanalit të Radoniqit. Viktimat u panë të gjallë për herë të fundit në vendndodhje të ndryshme në tre komuna gjatë një periudhe pesëmujore. Shumë prej tyre u panë të gjallë për herë të fundit në zona të cilat në atë kohë ishin nën kontrollin e UÇK-së. Gjatë periudhës së aktakuzës kontrolli i ushtruar prej UÇK-së në rrethinën e kanalit të Radoniqit ishte i konsiderueshëm por jo i plotë në çdo pikëpamje. Ky fakt shton mundësinë që UÇK-ja t’i ketë rrëmbyer viktimat dhe ose i ka vrarë dhe i ka depozituar kufomat në rrethinën e kanalit të Radoniqit ose i solli viktimat në këtë rrethinë dhe i ekzekutoi atje.
Dhoma ka shqyrtuar provat balistike të paraqitura nga Prokuroria në mbështetje të pretendimit të saj se një armë e shkrepur në rrethinën e kanalit të Radoniqit ishte përdorur prej UÇK-së edhe në dy raste të tjera – një rast në një përleshje me familjen Haradinaj më 24 mars 1998. Një farë pasaktësie në këto prova dhe pamundësia e verifikimit e bënë Dhomën të vendosë se nuk mund të mbështetej në këto prova. Për më tepër, nuk do të kishte përgjigje për pyetje të rëndësishme, si kush e kishte shkrepur armën, koha e qitjes në rrethinën e kanalit të Radoniqit dhe cilët persona e kishin patur armën në zotërim.
Dhoma mori prova të shumta për kryesit dhe rrethanat e vrasjes vetëm të një viktime të gjetur në rrethinën e kanalit të Radoniqit, Sanije Balaj. Rasti i kësaj viktime tregoi sa kujdes duhej t’i kushtonte Dhoma nxjerrjes së përfundimeve në lidhje me përgjegjësinë duke u bazuar vetëm në zhdukjen apo rrëmbimin e një personi dhe zbulimin e mbetjes së kufomës së atij personi në rrethinën e kanalit të Radoniqit. Në dukje, ekzistojnë të tërë elementët: arrestimi prej ushtarëve të UÇK-së, përfshirja e Sanije Balajt në çfarë duket si listë e personave të kërkuar përdorur prej atyre ushtarëve, transportimi në shtabin e UÇK-së dhe marrja e saj në pyetje atje, gjetja e mbetjes së kufomës në rrethinën e kanalit të Radoniqit dhe provat mjekoligjore për një vdekje të dhunshme. Në pamje të parë ky do të ishte ndër rastet më bindëse prej të cilave Dhoma mund të nxirrte konkluzione në lidhje me vrasjet e kryera gjatë mbajtjes nga UÇK-ja. Mirëpo në këtë rast, provat e hollësishme në lidhje me rrethanat e vdekjes së Sanije Balajt treguan se përfundimi në dukje logjike do të kishte qenë i gabuar. Për shembull, Dhoma dëgjoi dëshmi se një komandant i UÇK-së urdhëroi lirimin e Sanije Balajt. Ajo kishte me vete një sasi të madhe të hollash dhe ushtari i UÇK-së i cili e vrau ishte në dijeni të këtij fakti. Sanije Balaj nuk u vra në objekte të UÇK-së ose në afërsi të rrethinës së kanalit të Radoniqit. Për më tepër një numër dëshmitarësh dëshmuan në lidhje me hetimin e UÇK-së për këtë vrasje. Duke marrë parasysh të tëra provat në lidhje me këtë vrasje, Dhoma përcaktoi se një opsion tjetër logjik i ndryshëm nga përfshirja e UÇK-së, siç pretendohet për vrasjen e Sanije Balajt, ishte se Sanije Balaj mund të jetë shënjestruar prej individëve të cilët nuk vepronin sipas udhëzimeve apo në përputhje me praktikat e UÇK-së dhe se ajo mund të jetë vrarë jo gjatë mbajtjes nga UÇK-ja.
Dhoma mori më pak prova për shumicën e vrasjeve të tjera të pretenduara ku mbetjet e kufomave të viktimave u gjetën në rrethinën e kanalit të Radoniqit. Në disa raste, nuk dihej asgjë për rrethanat e zhdukjes së viktimës. Disa mbetje kufomash të gjetura në rrethinën e kanalit të Radoniqit nuk u identifikuan. Edhe vrasjet për të cilat Dhoma mori prova të shumta nuk mund t’i atribuoheshin gjithmonë UÇK-së. Si pasojë, Dhoma nuk mundi të nxjerrë përfundime të një karakteri më të përgjithshëm nga fakti se u gjetën viktima në rrethinën e kanalit të Radoniqit, se kush i kreu krimet dhe cilit grup i përkiste kryesi në rast të një përkatësie të tillë.
Si përfundim, Dhoma konkludoi se ushtarët e UÇK-së kryen veprat e trajtimit mizor, torturës, përdhunimit dhe vrasjes, të formuluara në:
- Pikën 6,
- Pikën 14,
- Pikën 20,
- Pikën 22, por vetëm në lidhje me vrasjet e Nurije dhe Istref Krasniqit dhe vrasjen e Sanije Balajt,
- Pikën 28,
- Pikën 30,
- Pikën 32, dhe
- Pikat 36 dhe 37, por vetëm në lidhje me Dëshmitarin 61.
Siç u tha më lart, Prokuroria i akuzoi të tre të Akuzuarit për këto krime si pjesëmarrës në një ndërmarrje të përbashkët kriminale. Synimi i kësaj ndërmarrjeje të përbashkët kriminale të pretenduar ishte konsolidimi i kontrollit të tërësishëm të UÇK-së mbi zonën e Dukagjinit nëpërmjet largimit të paligjshëm dhe keqtrajtimit të civilëve serbë, dhe të keqtrajtimit të civilëve shqiptarë dhe romë kosovarë, si dhe të civilëve të tjerë të cilët ishin bashkëpunëtorë apo shiheshin si bashkëpunëtorë të forcave serbe apo, ndryshe, nuk përkrahnin UÇK-në.
Prokuroria paraqiti pak prova të drejtëpërsëdrejta lidhur me synimin e përbashkët kriminal të pretenduar. Në vend të kësaj, Prokuroria kërkoi që Dhoma të konkludonte nga provat rrethanore, kryesisht nga provat për krimet e kryera nga ushtarët e UÇK-së, se ekzistonte një ndërmarrje e përbashkët kriminale. Lidhur me vrasjen e Sanije Balajt, Dhoma përfundoi, siç u shpreh më lart, se ndaj teorisë së Prokurorisë ekzistonin alternativa të arsyeshme.
Megjithëse duket se ngjarjet në shtabin e Jabllanicës tregojnë se atje krimet u kryen në mënyrë sistematike, Dhoma përfundoi se provat e paraqitura nuk ishin të mjaftueshme për konkludimin e ekzistencës së synimit të perbashkët kriminal, në të cilin morën pjesë një apo disa të Akuzuar, me pjesëmarrës të tjerë, në ndërmarrjen e përbashkët kriminale të pretenduar.
Si përfundim, duke marrë parasysh provat e drejtpërsëdrejta dhe provat rrethanore, Dhoma nuk u bind jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm se tre të Akuzuarit morën pjesë në një ndërmarrje të përbashkët kriminale, sipas akuzës.
Të gjithë të Akuzuarit akuzohen, ndryshe, se kryen, planifikuan, nxitën, urdhëruan, apo ndihmuan dhe inkurajuan shumë prej krimeve.
Vetëm për dy Pika, Dhoma mori prova të mjaftueshme për t’u bindur jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm për përgjegjësinë individuale penale të një të Akuzuari, Lahi Brahimaj. Tani, Dhoma do të japë një përmbledhje të përfundimeve të saj për këto pika.
Në Pikën 28, Prokuroria pretendoi se me datën 13 qershor 1998 apo rreth kësaj date, ushtarët e UÇK-së arrestuan Dëshmitarin 6 pasi kontrolluan makinën e tij dhe gjetën një armë zjarri. Pas kësaj, sipas Aktakuzës, Dëshmitari 6 u mbajt në shtabin e Jabllanicës ku u rrah rregullisht nga ushtarët e UÇK-së, ndër të cilët edhe Lahi Brahimaj.
Në bazë të provave të paraqitura, Dhoma bindet se Dëshmitari 6 u mbajt në shtabin e Jabllanicës për rreth gjashtë javë, duke filluar me 13 qershor 1998 apo rreth kësaj date. Përafërsisht gjatë katër javëve të para, ai u rrah rregullisht nga ushtarët e UÇK-së, gjë që i shkaktoi vuajtje të rëndë fizike dhe lëndime dhe që i la pasoja të përhershme fizike. Përveç kësaj, Dëshmitari 7 dhe Dëshmitari 16 dëshmuan se një komandant në shtab u tha atyre se Dëshmitari 6 ishte dënuar. Komandanti foli me mllef kundër Kryetarit Rugova dhe kundër atyre që nuk luftonin. Dëshmitari 6 vetë dëshmoi se kur u lirua, ai e mori vendimin me shkrim nga Nazmi Brahimaj i cili tha se Dëshmitari 6 do të ndëshohej në rast se e përsëriste gabimin. Në bazë të kësaj dëshmie, Dhoma bindet se ushtarët e UÇK-së e keqtrajtuan Dëshmitarin 6 për ta ndëshkuar. Për këtë arsye, Dhoma përfundon se Dëshmitari 6 ishte viktimë e Trajtimit Mizor dhe Torturës, të kryer nga ushtarët e UÇK-se ose nga persona të lidhur me UÇK-në
Dëshmitari 6 dëshmoi se Lahi Brahimaj mori pjesë disa herë në rrahjen e tij dhe se, herë pas here, ishte i pranishëm kur u rrah prej të tjerëve. Dëshmitari 6 dëshmoi gjithashtu se Lahi Brahimaj, bashkë me të tjerë, e kishte akuzuar se kishte qenë me serbët dhe kishte spiunuar për ata. Dëshmitari 6 kishte mundësi të mjaftueshme për të vëzhguar Lahi Brahimaj gjatë periudhës përafërsisht katër javore kur rrihej. Për më tepër, Dëshmitari 6 dëshmoi se, gjatë dy-tre javëve më vonë, ai e pa Lahi Brahimajn disa herë në shtabin e Jabllanicës. Dëshmitari 6 dëgjoi se si të tjerët e quanin Lahi apo Maxhup, dhe mësoi se Maxhupi ishte nofka e Lahi Brahimajt. Më vonë, Dëshmitari 6 e njohu Lahi Brahimajn në një fotomontazh të Prokurorisë. Rrjedhimisht, në bazë të kësaj dëshmie në tërësi, Dhoma është e bindur se Lahi Brahimaj mori pjesë personalisht në trajtimin mizor dhe në torturimin e Dëshmitarit 6, dhe përfundon se ai duhet të dënohet për kryerjen e këtyre krimeve.
Në Pikën 32, Prokuroria pretendon se në korrik të vitit 1998, Dëshmitari 3 u mbajt në shtabin e UÇK-së në Jabllanicë dhe iu nënshtrua rrahjeve të rënda prej UÇK-së.
Dhoma është e bindur se Dëshmitari 3 u nënshtrua rrahjeve nga ushtarët e UÇK-së ose nga persona në lidhje me UÇK-në, të cilat i shkaktuan vuajtje të rëndë fizike dhe se kryesit synonin të shkaktonin vuajtje të tillë. Dhoma bindet gjithashtu se rrahjet e Dëshmitarit 3 synonin ta ndëshkonin për mosdorëzimin e armës dhe ta diskriminonin për lidhjet e tij të pretenduara me serbët. Për këto arsye, Dhoma është e bindur jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm se ushtarë të UÇK-së apo persona të lidhur me UÇK-në kryen trajtim mizor dhe torturë kundër Dëshmitarit 3.
Për më tepër, provat vërtetojnë jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm se Lahi Brahimaj e la Dëshmitarin 3 në një dhomë në shtabin e Jabllanicës në të cilën, pak kohë më vonë, erdhën ushtarët e UÇK-së apo persona të lidhur me UÇK-në, dhe e rrahën Dëshmitarin 3 me shkopinj. Provat vërtetojnë gjithashtu jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm se, në një rast tjetër, Lahi Brahimaj e mori në pyetje Dëshmitarin 3, duke e akuzuar se mbështeste policinë serbe dhe se nuk dorëzoi një pushkë automatike. Gjatë këtij rasti, Lahi Brahimaj urdhëroi që dy gra të pranishme dhe të veshura me uniforma të zeza të praktikonin mbi atë. Këto gra e rrahën Dëshmitarin 3.
Dhoma përfundoi se roli i Lahi Brahimajt gjatë marrjes në pyetje si dhe pushteti i tij vërtetuan synimin e tij për t’i shkaktuar vuajtje të rëndë fizike Dëshmitarit 3 për ta ndëshkuar se nuk kishte dorëzuar armë dhe për ta diskriminuar për lidhjet e tij të pretenduara me serbët. Për këto arsye, Dhoma përfundon se Lahi Brahimaj duhet të dënohet për kryerjen e Trajtimit Mizor dhe të Torturës sipas Pikës 32.
Për krimet e tjera të kryera në Pikat 6, 20, 30, 36 dhe 37, Dhoma përfundon se Prokuroria paraqiti prova të pamjaftueshme për vërtetimin e përgjegjësisë penale të të Akuzuarve.
Në Pikën 14, Idriz Balaj akuzohet se kreu, planifikoi, nxiti apo ndihmoi në kryerjen e vrasjeve të nënës dhe të dy motrave të Dëshmitarëve 4 dhe 19. Shumica përfundoi se nuk kishte prova se Idriz Balaj, në mënyrë të vetëdijshme, mori pjesë apo ndihmoi në kryerjen e ndonje vrasjeje, dukë vënë në dukje në veçanti mungesën e provave se në atë kohë ai ishte në dijeni se u kryen apo do të kryheshin vrasjet. Gjykatësi Höpfel shprehu mendim mospajtues për sa i përket përgjegjësisë penale të Idriz Balajt në ndihmën dhe inkurajimin që dha për vrasjen e motrës “S”.
Tani, pas përmbledhjes së përfundimeve, Dhoma do të shpallë vendimin.
Zoti Haradinaj, ngrihuni, ju lutem.
Për arsyet e përmbledhura më lart dhe pasi ka marrë në shqyrtim të gjitha provat dhe argumentat e Palëve, Statutin dhe Rregulloren, dhe në bazë të përfundimeve faktuale dhe ligjore të përcaktuara në Aktgjykim, Dhoma ju shpall të pafajshëm dhe prandaj ju shfajëson nga të gjitha akuzat kundër jush në Aktakuzë. Dhoma urdhëron lirimin tuaj të menjëhershëm prej Njësisë së Paraburgimit të Kombeve të Bashkuara, pas përfundimit të formaliteteve të nevojshme.
Mund të uleni.
Zoti Balaj, ngrihuni, ju lutem.
Për arsyet e përmbledhura më lart dhe pasi ka marrë në shqyrtim të gjitha provat dhe argumentat e Palëve, Statutin dhe Rregulloren, dhe në bazë të përfundimeve faktuale dhe ligjore të përcaktuara në Aktgjykim, shumica ju shpall të pafajshëm, me mendimin mospajtues të Gjykatësit Höpfel, dhe prandaj ju shfajëson nga të gjitha akuzat kundër jush në Aktakuzë. Dhoma urdhëron lirimin tuaj prej Njësisë së Paraburgimit të Kombeve të Bashkuara, pas përfundimit të formaliteteve të nevojshme për transferimin tuaj te autoritetet përgjegjëse për zbatimin e dënimit që po kryenit kur u transferuat në selinë e Tribunalit.
Mund të uleni.
Zoti Brahimaj, ngrihuni, ju lutem.
Për arsyet e përmbledhura më lart dhe pasi ka marrë në shqyrtim të gjitha provat dhe argumentat e Palëve, Statutin dhe Rregulloren, dhe në bazë të përfundimeve faktuale dhe ligjore të përcaktuara në Aktgjykim, Dhoma ju shpall fajtor për akuzat e mëposhtme:
Pika 28, Trajtim Mizor dhe Torturë si shkelje e ligjeve ose zakoneve të luftës, sipas Nenit 3 të Statutit, të kryera kundër Dëshmitarit 6.
Pika 32, Trajtim Mizor dhe Torturë si shkelje e ligjeve ose zakoneve të luftës, sipas Nenit 3 të Statutit, në atë masë që krimet u kryen kundër Dëshmitarit 3.
Përgjegjësia juaj për krimet e lartpërmendura përputhet me Nenin 7(1) të Statutit të Tribunalit.
Dhoma ju shpall të pafajshëm për akuzat e tjera të Aktakuzës.
Në lidhje më dënimin, Dhoma mori parasysh rëndësinë thelbësore të krimeve për të cilat dënoheni, faktin se morët pjesë drejtpërsëdrejti në kryerjen e tyre dhe se keni mbajtur një pozitë të lartë në UÇK. Dhoma mori në konsideratë gjithashtu pambrojtshmërinë e viktimave dhe traumën fizike dhe mendore që ata vuajtën. Ajo mori në konsideratë gjithashtu se si Dëshmitari 6 duhet të ketë patur frikë për jetën kur mësoi për vdekjen e një të burgosuri tjetër pas keqtrajtimit. Megjithatë, Dhoma mori në konsideratë edhe vetëdorëzimin tuaj vullnetar në Tribunal dhe gjendjen tuaj familjare si rrethana lehtësuese.
Për këto krime, Zoti Brahimaj, juve ju jepet një dënim i vetëm prej 6 vitesh burgim.
Koha që keni kaluar në paraburgim llogaritet plotësisht si kohë burgimi, kështu që llogariten 1,109 ditë.
Siç u tha më lart, Gjykatësi Höpfel ka mendim mospajtues për një Pikë, të cilin ai do të përmbledhë tani.
[Flet Gjykatësi Höpfel]
Me respekt të plotë për mendimin e shumicës, duhet të shpreh mendimin tim mospajtues me disa përfundime të arritura nga Dhoma lidhur me Pikën 14.
Në këtë Pikë, Dhoma përfundoi se motra “S”, nëna dhe motra “M” u morën prej shtëpisë në raste të ndryshme dhe u vranë nga ushtarët e UÇK-së. Dhoma përfundoi gjithashtu se i Akuzuari Idriz Balaj ishte i pranishën kur këta persona u morën nga shtëpia dhe gjithashtu kur, pas marrjes së saj, motra “S” u lejua të bënte një vizitë pranë familjes. Provat tregojnë se motra “S”, e cila u detyrua të bëhej anëtare e UÇK-së, mori urdhra prej Idriz Balajt, se Idriz Balaj e ka urdhëruar që të kthehej në shtab të UÇK-së me një afat të caktuar pas vizitës së dytë në shtëpi dhe se ai verifikoi nëse ajo kishte vepruar sipas urdhrit të tij. Për më tepër, provat tregojnë se Idriz Balaj kishte urdhëruar që motra “S” të vriste dikë, dhe se Balaj kërcënoi ta vriste nëse ajo nuk bindej.
Megjithëse jam dakord me përfundimin e Dhomës për Pikën 14 për aspektet e lartpërmendura, me respekt shpreh mospajtimin tim me përfundimin e shumicës se nuk ka prova që vërtetojnë se Idriz Balaj ndihmoi dhe inkurajoi vrasjen e motrës “S”. Sipas meje, veprat e lartpërmendura përbëjnë një bazë të mjaftueshme për përfundimin se, kur e solli motrën “S” nën kontrollin e UÇK-së në këtë mënyrë, Idriz Balaj e vuri në rrezik të drejtpërsëdrejtë dhe të rëndë. Dhe ky rrezik u realizua dhe përfundoi në vdekjen e saj. Për këto arsye, unë përfundoj se Idriz Balaj kontribuoi në mënyrë thelbësore në vrasjen e motrës “S”.
Provat vërtetojnë rolin udhëheqës të Idriz Balajt në marrjen dhe në vizitat e motrës “S”. Kërcënimi i lartpërmendur me vdekje tregon gjithashtu besimin e Idriz Balajt se ai i kishte në dorë jetën dhe vdekjen e motrës “S”. Në bazë të këtyre konsideratave, jam i bindur jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm se Idriz Balaj dinte se motra “S” do të vritej dhe, me marrjen dhe kontrollin e motrës “S”, ai dinte se po ndihmonte në kryerjen e vrasjes. Si pasojë, ai ndihmoi dhe inkurajoi në mënyrë të vetëdijshme vrasjen e motrës “S”.
Rrjedhimisht, unë konkludoj se Idriz Balaj është fajtor për ndihmë dhe inkurajim në vrasjen e motrës “S”, gjë që, sipas meje, duhej të kishte përfunduar në dënimin e tij sipas Pikës 14.
[Flet Gjykatësi Orie]
Këtu përfundon shpallja e Vendimit të Gjykimit, i cili tani do të vihet në disponim publik. Seanca mbyllet.
|